Talibanët po bëjnë kontrolle derë më derë - Balkan Times

Talibanët po bëjnë kontrolle derë më derë

Talibanët po bëjnë kontrolle derë më derë – Talibanët kanë filluar gjithnjë e më shumë të kërkojnë për të gjetur personat që kanë punuar me forcat e NATO-s ose Qeverinë afgane, thuhet në një dokument të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, transmeton BBC.

Në dokument thuhet se talibanët kanë shkuar “derë më derë” për të kërkuar këta persona dhe për të kërcënuar anëtarët e familjeve të tyre.

Grupi islamik pati deklaruar se nuk do të ketë hakmarrje ndaj kundërshtarëve dhe atyre që kanë punuar me forcat e huaja. Megjithatë ekziston një frikë në rritje se talibanët ndryshe flasin por krejt ndryshe veprojnë.

Paralajmërimi që militantët janë vënë në “gjueti” të bashkëpunëtorëve të forcave të huaja u paraqit në një dokument konfidencial të Qendrës Norvegjeze për Analiza Globale (RHIPTO), e cila është një organizatë jofitimprurëse e formuar për të mbështetur OKB-në me informacione të reagimit të shpejtë në fushën e mjedisit, zhvillimit, paqes dhe sigurisë.

“Kërcënimi është i qartë dhe janë një numër i madh i individëve që aktualisht janë në shënjestër të talibanëve”, tha për BBC, Christian Nellemann, i cili kryeson grupin që e përgatiti raportin.

Sipas tij, kushdo që është në listën e zezë të talibanëve, është në rrëzik të madh dhe se mund të ketë ekzekutime masive.

Fuqitë perëndimore po vazhdojnë përpjekjet për të nxjerrë shtetasit e tyre nga Afganistani. Një zyrtar i NATO -s tha të premten (20 gusht) se në pesë ditët e fundit më shumë se 18.000 njerëz janë evakuuar nga aeroporti i Kabulit.

Zyrtari, që nuk pranoi të identifikohej, tha për agjencinë Reuters se mijëra njerëz kërkojnë që të hyjnë në aeroport, edhe pse talibanët po i kthejnë ata që janë pa dokumente legjitime.

Jashtë aeroportit situata mbetet kaotike. Talibanët kanë bllokuar afganët që përpiqen të ikin. Të premten presidenti amerikan, Joe Biden, pritet të flasë për procesin e evakuimit.

Talibanët kanë bërë thirrje për unitet duke ftuar imamët që të bindin njerëzit të mos largohen nga Afganistani.

Në disa pjesë të Afganistani ka pasur edhe protesta që përkuan me shënimin e 19 gushtin, Ditën e Pavarësisë së Afganistanit.

Një dëshmitar i tha Reuters se disa njerëz u vranë në qytetin lindor të Asadabad të enjten pasi militantët talibanë qëlluan mbi një turmë.

Protesta ka pasur edhe në dy qytete të tjera – Xhalalabad dhe Khost.

Një dëshmitar tjetër raportoi për të shtëna me armë pranë një tubimi në Kabul, por dukej se ishin talibanët që qëllonin në ajër.

Talibanët morën kontrollin e kryeqytetit Kabul të dielën më 15 gusht, pasi më parë kishin shtrirë ndikimin në pjesën më të madhe të vendit.

Fitorja e tyre i kthen ata në pushtet 20 vjet pasi u rrëzuan nga një intervenim ushtarak i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara.

Liderët talibanë kanë thënë se ata duan paqe dhe një qeveri gjithëpërfshirëse – në kuadër të parimeve të Islamit. Ata po ashtu janë zotuar se nuk do të hakmerren ndaj kundërshtarëve dhe do të respektojnë të drejtat e grave, bazuar në ligjin islam.

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden ka thënë më herët se qëllimi i misionit në Afganistan nuk ka qenë shtet-ndërtimi por parandalimi i terrorizmit.

Ndërsa më 19 gusht, Biden tha se ai nuk beson se talibanët kanë ndryshuar dhe se, sipas tij, ata tani po kalojnë nëpër një “krizë ekzistenciale” lidhur me atë nëse duan legjitimitet në skenën botërore pasi morën pushtetin në Afganistan.

Burimi

Balkantimes

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.