Presidenti kroat: Pa Kosovën `Ballkani i Hapur` nuk ka kuptim - Balkan Times

Presidenti kroat: Pa Kosovën `Ballkani i Hapur` nuk ka kuptim

Presidenti kroat Zoran Milanoviq tha se Ballkani i Hapur do të kishte kuptim vetëm nëse Kosova trajtohet si shtet i barabartë.

Presidenti kroat: Pa Kosovën `Ballkani i Hapur` nuk ka kuptim – Presidenti kroat Zoran Milanoviq tha se Ballkani i Hapur do të kishte kuptim vetëm nëse Kosova trajtohet si shtet i barabartë.

Presidenti kroat ka deklaruar në konferencë për media se Kosova është një shtet veçanërisht i dashur.

“Kosova për mua personalisht është një shtet i dashur, por Kosovën vërtet e kemi një shtet miqësor sepse bëhet fjalë për një demokraci vibrante. Kosova është një shtet që shumë shpejt në aspektin politik mund të inkuadrohet në organizata ndërkombëtare. Është për t’u çuditur se sa pak dihet për Kosovën edhe në vendet e BE-së. Disa shtete të BE-së që nuk e kanë pranuar pavarësinë e Kosovës sinqerisht nuk i kuptoj dhe unë do të bëj çka është e mundur për të avokuar. Thjesht njerëzit janë pak të informuar për Kosovën”, ka deklaruar Milanoviq në një konferencë për media me presidente e Kosovës, Vjosa Osmani.

“Nëse ka qëllime të mira, me kushte që të gjitha shtete të trajtohen barabartë dhe nëse është e kundërta duhet të pyetet për arsyet. Duhet t’i kemi të qarta motivet, kufijtë e hapur janë iniciativa të mira. Nëse Kosovën nuk e trajton barabartë, kjo iniciativë nuk ka kuptim”, tha ai.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në konferencën e përbashkët me presidentin e Kroacisë, Zoran Milanoviq, u shpreh se Kroacia është ndër shtetet që i ka qëndruar pranë Kosovës në momentet më të vështira, por edhe tash kur shteti ynë po ecën përpara.

Osmani tha se populli i Kosovës i është mirënjohës Republikës së Kroacisë.

“Kroacinë e konsiderojmë si aleat kyç. Marrëdhëniet e dy shteteve ndërtohen mbi lidhjet e forta të miqësisë që ekzistojnë historikisht në mes dy vendeve tona. Jemi të lumtur që qytetarët kroat me origjinë shqiptare janë integruar mire dhe ndjehen krenarë si qytetarë të Kroacisë”, u shpreh Osmani.

Presidentja falënderoj presidentin kroat për ndihmën e dhënë për Kosovën në kohën kur nuk kishim vaksina antiCOVID-19.

“I shpreh mirënjohje shtetit kroat për kontingjentin e vaksinave që i dhuruan Kosovës në një periudhë të vështirë kur ne nuk kishim vaksina. Gjithashtu mirënjohje e thellë për shtetin kroat dhe ndihmën që u dhanë qytetarëve të Kosovës pas aksidentit tragjik në Sllavonski Brod”, u shpreh presidentja Osmani.

Osmani shtoi se shteti ynë e ka bërë të qartë se vizioni ynë është që Kosova të anëtarësohet në strukturat euroatlantike, dhe prandaj e vlerësojmë ndihmën dhe përkrahjen e Kroacisë në këtë rrugë.

“Është tejet e rëndësishme që Kosova të vazhdojë të konsolidoj shtetësinë e saj, dhe shpresojmë që Kroacia do të vazhdoj të përkrahë këtë rrugë të vështirë por të pandalshme”, tha Osmani.

Presidentja u shpreh se vizitën e homologut të saj kroat e shohin si hap të rëndësishëm drejt avancimit të raporteve në mes dy shteteve tona. /Telegrafi/

Burimi
(Pikëpamjet e shprehura në këtë artikull nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht qëndrimin editorial të BalkanTimes.)

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.