Pekini dhe Uashingtoni përplasen edhe për Lojërat Olimpike - Balkan Times

Pekini dhe Uashingtoni përplasen edhe për Lojërat Olimpike

Kina ka reaguar të hënën lidhur me bojkotin e mundshëm të SHBA-ve ndaj Lojërave Olimpike duke shtuar se do të marrë masa nëse nuk ndalen thirrjet për të mos marrë pjesë në Lojërat Dimërore.

Pekini dhe Uashingtoni përplasen edhe për Lojërat Olimpike – Kina ka reaguar të hënën lidhur me bojkotin e mundshëm të SHBA-ve ndaj Lojërave Olimpike duke shtuar se do të marrë masa nëse nuk ndalen thirrjet për të mos marrë pjesë në Lojërat Dimërore.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Zhao Lijian tha se thirrjet për bojkotin e Lojërave Olimpike dëmtojnë edhe raportet me Republikën e Kinës. Ai theksoi :”Thirrjet për bojkot janë të ekzagjeruara dhe duhet të ndalen që të mos ndikojnë në dialogun e bashkëpunimit mes SHBA-ve dhe Kinës. Nëse SHBA-ja do të këmbëngulë, Kina do të kundërpërgjigjet.” Presidenti amerikan, Joe Biden muajin e kaluar deklaroi se po e shqyrton mundësinë e bojkotit diplomatik të Lojërave Dimërore, për të protestuar ndaj shkeljeve të të drejtave të njeriut që bën Kina, përfshirë edhe gjenocidin kundër minoritetit mysliman të ujgurëve. Kina e cila i mohon kategorikisht akuzat për ujgurët, tha përmes zëdhënësit të Ministrisë së Jashtme se Lojërat Olimpike nuk duhen politizuar. Pekini sakaq ka kërcënuar se do t’i kundërpërgjigjet Shteteve të Bashkuara për bojkotimin diplomatik të Lojërave Olimpike Dimërore “Pekini 2022”. “Këto Lojëra nuk janë një skenë për shfaqje politike dhe për manipulime politike. SHBA-ja do të paguajë një çmim për këtë që po bën”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Zhao Lijain. Ai u pyet se çfarë kundërmasash do të ndërmarrë Kina, por nuk tregoi dhe vetëm tha se duhet pritur. Ky reagim i Kinës erdhi pasi më 6 dhjetor, Shtëpia e Bardhë njoftoi se nuk do të dërgojë diplomatë apo përfaqësues zyrtarë në Lojërat Olimpike Dimërore “Pekini 2022”. Uashingtoni tha se ekipi olimpik amerikan do të ketë “mbështetjen e plotë” të administratës dhe nuk do të ndikohet nga bojkoti diplomatik. Mediet amerikane njoftuan të dielën se Administrata e Bidenit pritet që gjatë kësaj jave të njoftojë se zyrtarët qeveritarë amerikanë nuk do të marrin pjesë në Lojërat Olimpike të Pekinit në 2022. Ky tension i ri vjen në kontekstin e rivalitetit të ashpër e të gjithanshëm mes Pekinit dhe Uashingtonit.Shtrirja e konfrontimit SHBA-Kinë duket se ka hyrë në një fazë të re me lëvizjen e re të administratës Biden për të vendosur sanksione diplomatike ndaj Lojërave Olimpike Dimërore të Kinës. Zyrtarët e administratës Biden e kanë përmendur Kinën si sfidën më të madhe gjeostrategjike të SHBA-së në shekullin e 21-të, duke reflektuar pikëpamjen e përgjithshme të Uashingtonit për rolin, ndikimin dhe performancën e Kinës në rajonin e Indo-Paqësorit, si dhe në arenën ndërkombëtare. Shqetësimi i vërtetë i Uashingtonit, përveç akuzave të përsëritura kundër Pekinit, është shfaqja e Kinës si fuqia kryesore ekonomike në botë për vitet e ardhshme, si dhe fuqia e saj ushtarake në rritje, duke sfiduar ekuacionet aktuale të sigurisë dhe pozicionin tradicional të SHBA-së në Azinë Lindore. Pra, Shtetet e Bashkuara kërkojnë të dobësojnë Kinën me çdo kusht.

Burimi
(Pikëpamjet e shprehura në këtë artikull nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht qëndrimin editorial të BalkanTimes.)

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.