Escobar pas takimit me Vuçiqin: Pres vazhdim dinamik të dialogut

Escobar pas takimit me Vuçiqin: Pres vazhdim dinamik të dialogut

I dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, pas takimit me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se pret nga të dyja palët që të vazhdojnë në mënyrë dinamike dhe konstruktive dialogun për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Escobar pas takimit me Vuçiqin: Pres vazhdim dinamik të dialogut – Escobar ka thënë se një gjë e tillë “është e rëndësishme si për qytetarët, ashtu edhe për paqen, stabilitetin dhe përparimin e përgjithshëm në rajon”.

Ndërkaq në komunikatën e presidencës serbe pas takimit thuhet se në takimin Vuçiq – Escobar është biseduar për çështjet aktuale në kuadër të procesit të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, mundësitë e vazhdimit të dialogut dhe gjetjes së zgidhjeve të qëndrueshme.

“Presidenti Vuçiq edhe një herë theksoi përkushtimin e plotë të Serbisë për vazhdimin e procesit të dialogut dhe zgjidhjen e çështjeve të hapura ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, me theks në zbatimin e plotë të marrëveshjeve të nënshkruara deri më tani në Bruksel dhe respektimin e së drejtës ndërkombëtare”, thuhet në njoftimin për media të zyrës së presidentit të Serbisë.

Escobar po qëndron sot në Beograd, pasi dje vizitoi Kosovën, ku pati takime me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.

Njohësit e rrethanave politike në vend, nuk presin brenda javës marrëveshje finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ata thonë se deklarata në Prishtinë e diplomatit të lartë amerikan, Gabriel Escobar, është keqinterpretuar. Megjithatë, sipas tyre, brenda javësh mund të kemi një marrëveshje e cila i hap rrugën marrëveshjes përfundimtare ndërmjet dy shteteve.

Profesori i shkencave politike, Dritëro Arifi, marrëveshjen përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e sheh të largët. Arifi thotë se brenda javësh mund të kemi një marrëveshje e cila mund t’i hapë rrugë marrëveshjes përfundimtare.

“Ai (Gabriel Escobar) thotë një marrëveshje, nuk thotë marrëveshja përfundimtare. Një marrëveshje i bie që mund të kemi një marrëveshjeje e cila i hap rrugën marrëveshjes përfundimtare, por marrëveshjen përfundimtare unë jam duke e pa shumë, shumë larg. Kjo mund të nënkuptojë se mund të kemi marrëveshje për integrimin e Kosovës në strukturat e BE-së, p.sh: sepse 5 vendet e BE-së nuk e kanë njohur. Për mua është e pakuptimtë sepse nuk ka shumë transparencë e nuk po e dimë se cila është marrëveshja, vetëm po thuhet marrëveshje brenda javësh. Brenda javësh mund të kemi marrëveshje për të pagjeturit, për targat etj.”, ka theksuar Arifi për Radio Kosovën.

Për njohësin e rrethanave politike në vend, Artan Muhaxhiri, deklarata e diplomatit amerikan, Gabriel Escobar, është keqinterpretuar. Muhaxhiri thotë se nuk ka bazë reale për një marrëveshje finale brenda javësh, ndërmjet dy vendeve.

“Ai (Gabriel Escobar) nuk tha që marrëveshja finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të realizohet brenda javësh por do të hidhet një hap apo shkallë do të vendoset në këtë rrugë të vështirë. Unë nuk mendoj që është e mundshme që  marrëveshja finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të përfundojë shpejt, sepse hendeku është shumë i madh dhe vazhdimisht dalin probleme të cilat e pengojnë këtë marrëveshje”, ka deklaruar Muhaxhiri.

I dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në një intervistë për Kanal 10 tha se marrëveshja Kosovë-Serbi duhet të arrihet shpejt. Duke marrë parasysh kontekstin e asaj që po ndodh, secili duhet të marrë përgjegjësi për të krijuar qëndrueshmëri, jo vetëm në Evropë, por edhe në rajon, është shprehur Escobar.

Burimi

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.